Rreziku i diellit në verë, Dr. Memini: Ndërgjegjësimi për rreziqet dhe masat e duhura mbrojtëse janë çelësi për shëndetin e lëkurës
Me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave, qëndrimi në diell bëhet aktivitet i përditshëm për shumë njerëz. Megjithatë, dermatologia Jorida Memini paralajmëron se ekspozimi i pakontrolluar ndaj rrezeve të diellit mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e lëkurës.
E ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, Dr. Memini theksoi se dielli ka si anë pozitive, ashtu edhe të rrezikshme, veçanërisht për lëkurën. Ajo shpjegoi se rrezatimi diellor mund të shkaktojë djegie, fotodermatite, njolla të errëta dhe në raste më të rënda, kancere të lëkurës.
“Dielli ka anët e mira dhe jo të mira të tij, lëkura është ajo që ka impaktin e parë me diellin, Për sa i përket rreziqeve të lëkurës është djegia e saj nga dielli, fotodermatitet, të cilat janë puçrra që dalin si pasojë e ekspozimit në diell, shfaqja e njollave të errëta të lëkurës, apo kancerë të ndryshme që prekin lëkurën”, u shpreh ajo.
Dermatologia sqaroi dallimet mes llojeve të rrezatimit ultraviolet dhe rekomandon të evitohet ekspozimi ndaj diellit gjatë orëve më të nxehta të ditës, kur rrezatimi është më i fortë.
Ndërgjegjësimi për rreziqet dhe masat e duhura mbrojtëse janë çelësi për të ruajtur shëndetin e lëkurës dhe për të parandaluar komplikacionet serioze gjatë sezonit veror.
“Fasha orare që ne rekomandojmë që të evitohet, është ora 10 e mëngjesit me 4 pasdite. Për sa i përket llojeve të rrezatimit janë UVA, UVB dhe UVC. Rrezet UVC mbetet në ozon, ato që depërtojnë janë rrezet UVA dhe UVB. Rrezet UVB është më sipërfaqësore dhe është përgjegjëse për pjesën e djegies së lëkurës dhe formimit të karcinomave, ndërsa rrezet UVA janë më shumë përgjegjëse për pjesën e rrudhave, plakjes së lëkurës, shfaqjen e njollave por edhe për karcinomat e lëkurës. Ato që përjetojnë më shumë djegiet nga dielli janë fototipi 1 dhe 2 të cilët kanë një tonalitetet të çelur të lëkurës, duke përjashtuar kështu simptoma më të forta se lëkurat me tonalitet më të errët. Kryesisht simptomat janë skuqja e lëkurës, irritim, kruarje, tharje e lëkurës, shfaqja e vezikula me ujë apo rrjepja e lëkurës. Parandalimi më i mirë është përdorimi i kremrave me SPF dhe pas ekspozimit në diell përdorimi i produkteve qetësuese dhe freskuese për të qetësuar lëkurën”, theksoi dermatologia.
Doktoresha theksoi rëndësinë e njohjes për çdo ndryshim që mund të shfaqet në lëkurë. Ajo sqaroi se rritja e thjeshtë e një nishani nuk është gjithmonë shenjë alarmi, nëse nuk shoqërohet nga ndryshime të tjera.
“Kanceri i lëkurës është ai që i druhemi më shumë, njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për çdo lloj ndryshimi që hasin në lëkurën e tyre, që nga dalja e një elementi të ri deri tek ndryshimi i një nishani ekzistues. Ne i referohemi gjithmonë rregullit ABCDE të melanomës, ku A-ja konsiston në asimetri të nishanit, më pas janë kufijtë e nishanit i cili mund të ketë ndryshime ne kufijtë e tij, më pas është ngjyra e cila mund të ndryshojë. Duhet të them se thjesht rritja e një nishani nuk është kambanë alarmi nëse nuk shoqërohet nga këto ndryshime”, tha doktoresha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




