Rreziku i ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia, BE përgatit planin B

Planet e urgjencës për uljen e kërkesës për gaz natyror në muajt në vijim pritet të përcaktohen sot nga Bashkimi Evropian , si dhe të paralajmërojnë vendet anëtare se pa shkurtime thelbësore sot, do të përballen me një problem serioz furnizimi me karburant në dimër, në rast se Rusia ndërpret furnizimin me gaz.
Evropa është në një garë për të rimbushur rezervat e saj të gazit përpara dimrit, por edhe për të organizuar një sistem furnizimi rezervë në rast se Moska ndërpret furnizimet e mëtejshme me gaz si hakmarrje për mbështetjen e Evropës për Ukrainën për luftën me Rusinë.
Gazprom i Rusisë ka ndërprerë furnizimin me gaz për disa vende evropiane dhe zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar se mund të ketë edhe më shumë shkurtime. Komisioni Evropian pritet të nxisë vendet që të përgatiten për një skenar të tillë duke reduktuar konsumin e gazit natyror. Ata do të propozojnë një objektiv vullnetar për vendet evropiane për të reduktuar kërkesën për gaz gjatë tetë muajve të ardhshëm, me zbatimin e planit të detyrueshëm nëse Evropa përballet me një emergjencë, në lidhje me gazin natyror.
Ky propozim duhet të miratohet nga vendet evropiane, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për formimin e politikave të tyre energjetike.
I njëjti draft propozon masat që qeveritë mund të marrin nëpërmjet aktivizimit të stimujve financiarë për kompanitë për të reduktuar konsumin e gazit natyror, përdorimin e ndihmës shtetërore për nxitjen e industrive dhe termocentraleve për të përdorur lëndë djegëse të tjera, por edhe zbatimin e fushatave informuese, me qëllim të bindë konsumatorët të reduktojnë konsumin e energjisë, si për ngrohje ashtu edhe për ftohje./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




