Rritet frika ndaj presioneve ushtarake të Kinës, Tajvani lejon gratë në trajnimin e forcave rezervë të ushtrisë

Botë | 4 vite më parë

Në një kohë që Kina vijon të rrisë presionin ushtarak në Tajvan, autoritetet e ishullit kanë lejuar gratë që të marrin pejsë në ushtri dhe të trajnohen në forcat rezervë ushtarake.

Ushtria e Tajvanit publikoi planet për të lejuar gratë të bëhen vullnetare për trajnimin e forcave rezervë për herë të parë, pasi Kina vijon kërcënimet për një sulm të mundshëm mbi ishullin demokratik.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se do të lejojë 220 ushtarë femra të regjistrohen në trajnim duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti. Më herët, Ministria e Mbrojtjes tha se ka trajnuar vetëm rezervistë meshkuj, sepse nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të akomoduar të dy gjinitë, por ligjvënësit tajvanezë kishin thënë se përjashtimi i grave nga trajnimi rezervë përbën diskriminim gjinor.

Në dhjetor, Tajvani njoftoi se do të zgjasë periudhën e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak për të gjithë burrat e kualifikuar nga katër muaj në një vit duke filluar nga viti 2024, dhe kërkesa do të zbatohet për të lindurit pas 2005.

Tajvani ka një forcë ushtarake prej rreth 170,000 personash dhe gjithashtu trajnon rreth 120,000 rezervistë çdo vit.

Sipas ligjit, burrat nga mosha 18 deri në 36 vjeç ose duhet të dalin vullnetarë për të shërbyer në ushtri ose të kryejnë një periudhë shërbimi të detyrueshëm në rezervë. Që nga viti 2021, gratë përbënin 15% të ushtrisë së Tajvanit, por shërbejnë kryesisht në role jo luftarake.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme