Rritet numri i turistëve në Dropull, bukuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore “magnet” për vizitorët
Bashkia Dropull me zonat përreth saj po shndërrohet në një nga destinacionet më tërheqëse turistike të qarkut të Gjirokastrës. Sipas përfaqësuesve të sektorit të turizmit, kjo bashki po njeh nga viti në vit rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve.
“Të shumtë kanë qenë dhe turistët e huaj që kanë vizituar vendet turistike të Dropullit, si për shembull amfiteatrin e Adrianopolit në Sofratikë, kishën e Peshkëpisë së Poshtme, fshatin Sotir që është një nga fshatrat nga 100 fshatrat turistike, edhe fshatrat e tjera”, tha Evi Pasko, përgjegjëse e sektorit të turizmit.
Një ndikim të rëndësishëm në rritjen e numrit të vizitorëve kanë edhe aktivitetet e shumta kulturore, artistike dhe promovuese që organizohen nga Bashkia Dropull me synim gjallërimin e jetës së komunitetit dhe pasurimin e përvojës së turistëve.
“Në rritjen e vizitorëve ka ndikuar edhe organizimi i aktiviteteve nga shoqata të ndryshme kulturore. Ka aktivitete të ndryshme, si panairet dhe festat, që mblidhen gjithë dropullitët, edhe është jo vetëm dropullitët, por edhe turistë të huaj që i presin, domethënë, këto panaire”, tha ajo.
Me peizazhet e saj natyrore, monumentet e kulturës, traditat e ruajtura ndër breza dhe mikpritjen karakteristike të banorëve, Bashkia Dropull dhe rrethinat e saj po konsiderohen gjithnjë e më tepër si një destinacion i rëndësishëm në hartën turistike në jug të vendit, duke tërhequr çdo vit një numër në rritje vizitorësh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





