Rubio: Irani ka humbur kontrollin e plotë mbi Ngushticën e Hormuzit

Botë | 31 minuta më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën gjatë një vizite zyrtare në kryeqytetin grek, Athinë, se Irani ka humbur kontrollin e plotë mbi Ngushticën e Hormuzit.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan, transporti detar dhe lëvizja e naftës në këtë korridor strategjik kanë rënë në nivele pothuajse të njëjta me ato të periudhës para shpërthimit të konfliktit.

Rubio sqaroi se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për navigim commercial, duke vënë në dukje se rikthimi i fluksit të naftës dëshmon se Teherani nuk ushtron më kontroll absolut mbi trafikun detar.

Megjithatë, deklaratat e tij përkojnë me një situatë ende të paqëndrueshme në terren. Burime nga siguria detare bëjnë të ditur se përgjatë periudhës nga 28 shtatori deri më 5 tetor është regjistruar numri më i lartë javor i incidenteve që synojnë apo kërcënojnë anijet e transportit të naftës dhe gazit që nga nisja e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit në shkurtin e kaluar.

Qëndrimi i Uashingtonit bie ndesh me deklaratat zyrtare të Iranit. Mohammad Reza Naqdi, këshilltar i komandantit të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), deklaroi se Teherani gëzon “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit dhe se kjo gjendje do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave iraniane.   Përfaqësuesi iranian njoftoi gjithashtu synimin e Teheranit për të mbyllur ato që ai i cilësoi si “kalime ilegale” brenda ngushticës.

Rubio e lidhi drejtpërdrejt sigurinë e lundrimit në ngushticë me dosjen e programit bërthamor iranian. Ai ritheksoi se Irani nuk mund të zotërojë armë bërthamore dhe se çdo marrëveshje potenciale me Teheranin duhet të garantojë përfundimisht ndalimin e armatimit bërthamor.

Nga ana tjetër, një zyrtar iranian konfirmoi për agjencinë e lajmeve Reuters se Teherani nuk do të heqë dorë nga e drejta e tij për pasurimin e uraniumit, çka tregon për hendekun e thellë midis kërkesave të Uashingtonit dhe kushteve të Iranit për përfundimin e luftës.

Rubio shtoi se ekonomia iraniane po përballet me një rënie të pashmangshme nën peshën e sanksioneve amerikane, ndërsa Uashingtoni vazhdon të ushtrojë presion ushtarak, bërthamor dhe detar ndaj Teheranit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme