Rusët dalin në Sheshin e Kuq për 100-vjetorin e vdekjes së Leninit

Botë | 3 vite më parë

E diela e 21 Janarit bëri bashkë dhjetëra komunistë në Sheshin e Kuq të Moskës, të cilët mbanin postera të Vladimir Iljiç Leninit me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së tij.

Lenini ishte themeluesi i Bashkimit Sovjetik, përveçse prijës i Revolucionit Bolshevik të 1917-ës dhe themelues i Partisë Komuniste Ruse.

“Idetë e tij i hapën rrugë shumë revolucionarëve të tjerë… Ai luajti rol jo vetëm për Rusinë, por për gjithë botën… Tani vendi po kthehet në një koloni, dhe vetëm doktrina leniniste mund të na mësojë si ta luftojmë këtë fenomen,” u shprehën për AFP-në mbështetës të ish-liderit komunist.

Në duar, pjesëmarrësit mbanin portretin e Leninit dhe flamurin e Partisë Komuniste, një nga partitë e pakta politike, e cila lejohet të garojë në zgjedhje.

Lenini vdiq më 21 janar 1924 dhe në nder të tij është ndërtuar një mauzole prej guri kuqezi mu në zemër të Sheshit të Kuq. 

Presidenti Vladimir Putin e ka ulur publikisht figurën e Leninit për shkak të rolit që ka luajtur në ndarjen e Perandorisë Ruse në komb-shtete të tjera, si Ukraina, ndërsa nuk e ka komentuar përvjetorin e 100-të të vdekjes së tij. /AFP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme