Rusët kanë frikë nga një valë e dytë mobilizimi, Putini vështirëson shmangien e një thirrjeje ushtarake

Botë | 4 vite më parë

Kur Vladimir Putin u përpoq të mobilizonte qindra mijëra qytetarë për t’i çuar në luftë ndaj Ukrainës shtatorin e kaluar, kaosi, frika dhe zemërimi bën jehonë nëpër Rusi.

Për shumë njerëz, këto ndjenja u kthyen këtë të mërkurë (12 prill) pasi parlamenti rus miratoi një ligj që e bëri programin e rekrutimit të vendit më efikas, më modern dhe më të vështirë për t’iu shmangur.

“Ne kemi pritur valën e dytë të mobilizimit për një kohë të gjatë tani dhe ky është fillimi. Këto ndryshime kanë pasur tashmë efektin e tyre tek unë, duke kontribuar në një ndjenjë pasigurie dhe ankthi”, tha një banore, djali i të cilës është në moshë mobilizimi për ushtar.

Projektligji i ri i miratuar nga ligjvënësit rus dhe që pret vetëm nënshkrimin e Putinit përpara se të bëhet ligj, është, sipas Kremlinit, një riorganizim i jashtëzakonshëm i procesit të rekrutimit dyvjeçar të Rusisë.

Ai do të lejonte dërgimin elektronik të letrave të thirrjes ushtarake, përveç letrave tradicionale, dhe do të ndalonte ata që janë përgjegjës për shërbimin ushtarak të udhëtojnë jashtë vendit. Ai përfshin gjithashtu dënime të ashpra për ata që shpërfillin një thirrje duke i ndaluar ata të marrin një kredi, të lëvizin në një apartament të ri, të regjistrohen si të vetëpunësuar dhe të ngasin një automjet.

“Gjatë valës së parë ata përdorën bastisjet e policisë për të grumbulluar rekrutët. Njerëzit nuk e pëlqenin këtë. Kështu që tani ata po përpiqen të sajojnë diçka ndryshe”, tha një qytetar për CNN.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se projektligji i ri synon vetëm “të rregullojë rrëmujën” që pasoi urdhrin e diskutueshëm të mobilizimit të pjesshëm të shtatorit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme