Salmonela, si ta njohim dhe parandalojmë helmimin nga ushqimi?

Salmonela është një nga shkaktarët më të shpeshtë të helmimit bakterial nga ushqimi dhe ndikon në mijëra njerëz çdo vit. Ky infeksion shkaktohet nga bakteret e salmonelës, të cilat sulmojnë zorrët dhe shkaktojnë simptoma si diarre, dhimbje stomaku, të përziera, të vjella dhe ethe.
Infeksioni ndodh kur një sasi e konsiderueshme e baktereve kalon barrierat e stomakut dhe përballon sistemin imunitar. Në disa raste, simptomat mund të jenë të rënda dhe kërkojnë trajtim mjekësor, sidomos tek fëmijët, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar.

Bakteret e salmonelës mund të gjenden në ushqime të ndryshme, përfshirë vezët, mishrat, ushqimet e detit, frutat dhe perimet jo të pastruara mirë, si dhe në qumështin dhe djathin e papasterizuar. Përveç ushqimit, salmonela mund të transmetohet edhe përmes kontaktit me kafshë të infektuara apo sipërfaqe të kontaminuara.

Për të parandaluar infeksionin nga salmonela, ekspertët rekomandojnë larjen e duarve para përgatitjes së ushqimit, gatimin e plotë të mishrave dhe shpendëve, përdorimin e ushqimeve të pastra dhe ruajtjen e higjenës në kuzhinë citon Cleveland Clinic.
Në shumicën e rasteve, salmonela shërohet vetvetiu brenda pak ditësh, por nëse simptomat përkeqësohen, është e nevojshme konsultimi me mjekun.
Kujdes! Ky është një artikull informues, nuk zëvendëson këshillën e mjekut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




