Sezoni turistik, Topuzi: 78% e turistëve, rajonalë. Problematik shërbimi i transportit publik dhe paketat e larmishme
Sezoni turistik konsiderohet një nga “motorët” kryesorë të ekonomisë ku vendi gjithnjë e më shumë po preferohet edhe nga turistët e huaj, por ka edhe problematika, për të cilat, operatorët turistikë kërkojnë ndërhyrje.
Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH tha se ky vit kishte pritshmëri më të lartë, megjithatë ishte një vit normal me një rritje prej 5–6%. Megjithatë, sipas tij, nuk janë shifrat ato që vlejnë më shumë, por cilësia e shërbimit dhe ajo çfarë shpenzojnë turistët në vend.
Sipas tij, Shqipëria preferohet kryesisht nga turistët rajonalë, që përbëjnë 78% të pushuesve të cilët vijnë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare. Vetëm 11% e vizitorëve janë nga Evropa Perëndimore, shtoi Topuzi.
“Ka qenë një vit jo sipas pritshmërisë, por një vit normal me një rritje 5-6 %. Duhet të heqim dorë nga këto shifra, pas nuk është numri i rëndësishëm por çfarë ofrojmë në dhe çfarë lënë këto turistë. Sa jemi në të zotë të mbajmë kategorinë e turistëve që mund të shpenzojnë. Duhet të kuptojmë se kush është klienti shqiptar, ne kemi vetëm 11 % nga Evropa Perëndimore, 5 % turistë nga të gjithë kontinentet e tjerë dhe 78 % janë turistët rajonal, janë ata që na mbajnë gjallë, Kosova, Mali i Zi, Maqedoninë e Veriut dhe diaspora shqiptare dhe ky është kontingjenti më i rëndësishëm që duhet të fokusohemi, jo se duhet të lëmë pas dore turistët e tjerë, por kombinimi i të gjitha llojeve është gjëja më e mirë. Duhet të gjejmë çelësin e suksesit për këto lloj turistësh pasi konkurrenca rajonale është jashtëzakonisht e fortë”, tha Topuzi.
Topuzi theksoi se sfida kryesore mbetet rritja e cilësisë së shërbimit, përmirësimi i infrastrukturës së transportit, ruajtja e tregjeve tradicionale si Kosova dhe orientimi drejt një modeli turistik që i përgjigjet kërkesave moderne të vizitorëve.
“78 % janë pushues rajonal dhe shumica e tyre vijnë me mjetet e tyre. Ato që vijnë me rrugë ajrore marrin mjete me qira për arsye të mungesës së transportit publik është një nga pikat më të dobëta në vend. Ngarkesa e madhe e lëvizjes e bën të vështirë produktin shqiptar.
Ka rreth 3 vite që dhënia e mundësisë për të lëvizur lirisht në BE e qytetarëve të Kosovës, ka bërë që ata të eksplorojnë tregje të reja. Ne nuk u përgatitëm në kohë dhe nuk arritëm të mbajmë këtë lloj kontingjenti. Për tre vite ne kemi një rënien prej 52 % në vlerë absolute jo në numër, se gjatë këtyre tre viteve ne kemi rritur gati me 45 % numrin e turistëve”, tha Topuzi.
Problematikë është edhe sigurimi i fuqisë punëtore dhe rritja e cilësisë së shërbimit. Për Topuzin, kontratat sezonale nuk krijojnë kushte për punonjës të kualifikuar.
Ai propozoi që një nga zgjidhjet më të mira të jetë subvencionimi i punonjësve të turizmit për 4 muajt jashtë sezonit, në mënyrë që hotelet të mund të lidhin kontrata vjetore dhe të garantojnë staf të qëndrueshëm.
“Shërbimi është pika më e rëndësishme e turizmit dhe duhet të kuptojmë që një nga zgjidhjet më të mira për Shqipërinë është marrja e eksperiencën rajonale. Turizmi është sezonal, ti nuk mund të kesh punonjës të kualifikuar nëse ata nuk kanë një punë të sigurt gjatë gjithë vitit, punonjësit e turizmit janë një aset kombëtar dhe një nga zgjidhjet është subvencioni për 4 muajt të punonjësve të turizmit në mënyrë që ta atë kenë një kontratë të përhershme dhe hotelet të bëjnë kontratë vjetore. Në strategjinë e re të qeverisë për 2025-2030 parashikohet edhe kjo gjë”, tha ai.
Gjithashtu struktura akomoduese mbetet e dobët, tha Topuzi, ku vetëm 1% e hoteleve në Shqipëri janë me 5 yje, ndërsa rezortet me paketa të plota dhe shërbime të larmishme janë të pakta.
“Edhe për pushuesit shqiptarë ne nuk arritëm dot të krijojmë zona që të mund t’i mbajmë këtu, sidomos shtesa e mesme. Ne kemi vetëm 1 % të hoteleve me 5 yje, shumë pak rezorte dhe me paketa të plota dhe shërbime të ndryshme siç është modeli i Turqisë. Megjithatë edhe modeli i Turqisë kanë nisur të dështojë , turistët gradualisht po kalojnë te eksperiencat e veçanta”, u shpreh Topuzi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





