SHBA dhe BE intensifikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Botë | 4 vite më parë

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë intensifikuar përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në deklarata të veçanta kërkohet respektimi i marrëveshjeve të arritura, ndërsa Bashkimi Europian ka krijuar Komisionin e përbashkët të mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjes, siç parashikonte marrëveshja e Ohrit.

 “SHBA-ja dhe BE-ja presin nga Kosova e Serbia që të përmbushin detyrimet e tyre dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme nga dialogu, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Departamenti Amerikan i Shtetit i është përgjigjur Zërit të Amerikës, cituar nga Radio Evropa e Lirë se ka qenë konfirmim i dy udhëheqësve në takimin e 18 marsit në Ohër”. Pyetur përpara mbajtjes së zgjedhjeve në Veriun e Kosovës, DASH-i ka theksuar se SHBA-ja mbetet e përqendruar në mënyrë aktive në mbështetjen e Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në mënyrë që t’u ndihmojmë atyre të zhvillojnë marrëdhënie më paqësore dhe më të parashikueshme si fqinj, gjë që do të mundësonte stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh në rajon”.

Ndërkohë që ShBA rikonfirmojnë angazhimin e tyre të përqendruar, edhe Bashkimi Evropian ka bërë të ditur formimin e një Komisioni të Përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, në takimin e tyre në Ohër. Duke njoftuar këtë, të martën, Bashkimi evropian kujton se ky Komision është paraparë në aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar për tekstin e kësaj marrëveshjeje në një takim të zhvilluar më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa në bisedimet në Ohër ata janë marrë vesh për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, citohet në njoftimin e Bashkimit evropian. Formimi i Komisionit vjen 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër, siç përcaktohet në Aneksin e Zbatimit dhe do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviç. Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”, njofton Bashkimi Europian.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme