SHBA i jep 350 milionë USD ndihmë Ukrainës

Botë | 4 vite më parë

Shtetet e Bashkuara po autorizojnë 350 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën, tha të hënën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ndërsa Kievi po ndërton arsenalin e tij për një kundërofensivë të parashikuar kundër forcave ruse.

SHBA i kanë ofruar Ukrainës më shumë se 30 miliardë dollarë armatime për t’u mbrojtur kundër Rusisë, e cila pushtoi fqinjin e saj properëndimor më 24 shkurt 2022.

 Ndihma e fundit e SHBA u njoftua disa ditë pasi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan dhe Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët Mark Milley zhvilluan një telefonatë me homologët e tyre ukrainas dhe folën për “mbështetjen e palëkundur” të tyre për Ukrainën.

Kievi po kërkon të mbledhë furnizime të mjaftueshme armësh nga vendet perëndimorë, nga të cilët SHBA ka qenë më i rëndësishmi, për të ndërmarrë një kundërofensivë dhe për të provuar të rimarrë territorin e pushtuar nga rusët vitin e kaluar. “Vetëm Rusia mund t’i japë fund luftës së saj sot. Derisa Rusia ta bëjë këtë, ne do të qëndrojmë të bashkuar me Ukrainën për aq kohë sa të duhet,” tha Blinken të hënën.

Gazetare: Teuta Shamku


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme