SHBA miraton pilulën e parë për trajtimin e depresionit pas lindjes

Rregullatorët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar pilulën e parë për trajtimin e depresionit pas lindjes, duke ofruar kurimin për një në shtatë nëna të reja që vuajnë nga kjo gjendje çdo vit.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha se kishte miratuar Zurzuvae, të prodhuar nga Biogen dhe Sage Therapeutics, për trajtimin e depresionit të rëndë që lidhet me lindjen e fëmijëve ose shtatzëninë.
Deri më tani, trajtimi për depresionin pas lindjes në SHBA ishte i disponueshëm vetëm në formën e një injeksioni intravenoz.
Ilaçi, Brexanolone, kërkon një infuzion intravenoz 60-orësh në një spital dhe kushton rreth 34 mijë dollarë.
Sage Therapeutics dhe Biogen, e cila ka selinë në Kembrixh, Massachusetts, tha se priste që ilaçi të jetë i disponueshëm në treg këtë vit.
“Zurzuvae pritet të lançohet dhe të jetë në dispozicion komercialisht në tremujorin e katërt të 2023, menjëherë pas planifikimit si një substancë e kontrolluar nga Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës, e cila parashikohet të ndodhë brenda 90 ditëve”, thanë Sage Therapeutics dhe Biogen në një deklaratë.
Miratimi i FDA vjen pasi dy studime të kompanisë zbuluan se gratë që morën ilaçe kishin më pak shenja depresioni gjatë një periudhe katër deri në gjashtë javë, me përfitimet për shumë pacientë të dukshëm brenda tre ditëve. Efektet anësore të raportuara të Zurzuvae përfshijnë përgjumje dhe marramendje, transmeton Al Jazeera.
Çmimi i pilulës, e cila merret një herë në ditë për 14 ditë, ende nuk është shpallur nga prodhuesi i saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




