SHBA miraton shitjen e armëve për Izraelin me vlerë 20 miliardë dollarë

Botë | 2 vite më parë

Shtetet e Bashkuara te Amerikes miratuan të martën shitjen e mundshme te armëve për Izraelin, me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, duke përfshirë më shumë se 50 avionë luftarakë dhe raketa të avancuara, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në një deklaratë, Agjencia Amerikane për Bashkëpunim për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) tha se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kishte miratuar shitjen e mundshme të avionëve dhe pajisjeve F-15 me vlerë rreth 19 miliardë dollarë. Dorëzimi vlerësohet të fillojë në vitin 2029.

“Blinken kishte miratuar gjithashtu shitjen e mundshme të fishekëve të tankeve me vlerë rreth 774 milionë dollarë dhe automjeteve të ushtrisë me vlerë rreth 583 milionë dollarë”, tha DSCA.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit – dhe është jetike për interesat kombëtare të SHBA-së që të ndihmojë Izraelin që të zhvillojë dhe mbajë një aftësi të fortë dhe të gatshme vetëmbrojtëse. Kjo shitje e propozuar është në përputhje me këto objektiva”, thuhet në deklaratë.

DSCA tha se kishte dorëzuar certifikatën e kërkuar duke njoftuar Kongresin për shitjen e mundshme të armëve.

Njoftimi vjen ndërsa Lindja e Mesme përgatitet për një valë të re sulmesh nga Teherani dhe aleatët e tij kundër Izraelit lidhur me ngjarjet e fundit.

Uashingtoni ka shprehur vazhdimisht mbështetjen për një armëpushim në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës.

Si aleati më i rëndësishëm i Izraelit, SHBA-ja, prej disa kohësh, i ka kërkuar Izraelit të rrisë mbrojtjen e popullatës civile dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare në Rripin e Gazës. 

Sipas ATSH

/ rtsh.al /

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme