SHBA pezullon dialogun strategjik me Kosovën: Veprimet e qeverisë kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë

Kosovë | 1 vit më parë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njoftoi se dialogu strategjik me Kosovën është pezulluar për një kohë të pacaktuar.

Vendimi, sqaron Ambasada Amerikane, ka ardhur pas veprimeve të qeverisë “Kurti”, që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë. Dialogu Strategjik synonte forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve, ndërsa sipas SHBA-së, deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti “kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë viteve”.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e tyre Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.

Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në deklaratë.

SHBA-ja shton se mbetet e përkushtuar për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë, dhe se shpreson që në të ardhmen kushtet të jenë më të përshtatshme.

Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe atij të Kosovës. Shpresojmë të vazhdojmë me përpjekje të tilla në të ardhmen kur të jetë e përshtatshme. E dimë që ky është një qëllim i prioritizuar nga populli i Kosovës”, përfundon deklarata.

Tensionet mes SHBA-së dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti janë rritur pas komenteve të këtij të fundit për Gjykatën Kushtetuese se “po funksionon si një hije politike e opozitës”. Këto komente janë kritikuar nga e ngarkuara amerikane me punë në në Kosovë, Anu Prattipati.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike. Më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, tha diplomatja amerikane në një përgjigje për gazetën “Koha” në Kosovë.

Në vendimin e fundit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës u ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës deri në datën 30 shtator, për shkak të ngërçit të krijuar me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme