SHBA premton mbrojtje të plotë ushtarake të aleatëve kundër Koresë së Veriut, qoftë edhe atë bërthamore

Shtetet e Bashkuara do të përdorin plotësisht aftësitë e tyre ushtarake, “përfshirë mbrojtjen bërthamore, konvencionale dhe raketore”, për të mbrojtur aleatët e saj Japoninë dhe Korenë e Jugut. Deklarata u bë nga zëvendëssekretarja amerikane e shtetit Wendy Sherman, teksa paralajmëroi Korenë e Veriut për përshkallëzimin e provokimeve të saj.
Sherman tha se gjuajtjet e përsëritura të raketave balistike dhe artilerisë nga Koreja e Veriut në javët e fundit, ishin veprime provokuese ushtarake.
Koreja e Veriut i ka përshkruar ato si praktikë për përdorimin e armëve taktike bërthamore.
“Kjo është thellësisht e papërgjegjshme, e rrezikshme dhe destabilizuese,” tha Sherman në bisedimet në Tokio me zëvendësministrin e parë të jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Hyungdong. Të dy zyrtarët u takuan përpara një takimi trepalësh me homologun e tyre japonez.
Ky do të jetë takimi i dytë personal i tre zyrtarëve që kur presidenti konservator i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol mori detyrën në maj, duke sinjalizuar një përmirësim në lidhjet e vështira midis Japonisë dhe Koresë së Jugut. Një vit më parë, zëvendësministrat japonezë dhe koreano-jugor refuzuan të merrnin pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi pas bisedimeve trepalëshe në Uashington, duke e lënë Sherman të bënte një paraqitje të vetme në media.
Sherman tha se Koreja e Veriut duhet të kuptojë se angazhimi i SHBA për sigurinë e Koresë së Jugut dhe Japonisë është “i hekurt”.
“Ne do të përdorim të gjithë gamën e aftësive mbrojtëse të SHBA, për të mbrojtur aleatët tanë, duke përfshirë aftësitë e mbrojtjes bërthamore, konvencionale dhe raketore,” tha ajo.
Cho, gjatë bisedimeve të tij me Sherman, ngriti shqetësimin se një politikë e re e armëve bërthamore të Koresë së Veriut e miratuar në shtator, rrit mundësinë e përdorimit arbitrar të armëve bërthamore.
“Kjo po krijon tensione serioze në Gadishullin Korean,” tha Cho.
Sherman u takua më herët me zëvendësministrin e Jashtëm japonez Takeo Mori dhe ripohoi forcimin e mëtejshëm të aleancës Japoni-SHBA dhe qëllime të tjera të përbashkëta, duke përfshirë denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut dhe përgjigjen e tyre të përbashkët ndaj veprimeve gjithnjë e më shqetësuese të Kinës në rajon.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, së fundmi tha se Koreja e Veriut besohet se ka arritur një miniaturizimin e kokave bërthamore, ndërkohë që ka avancuar ndjeshëm aftësitë e saj raketore duke diversifikuar teknologjitë e saj të lëshimit, duke e bërë më të vështirë përgjimin.
Zyrtarët japonezë kanë paralajmëruar gjithashtu për një provë të mundshme bërthamore nga Koreja e Veriut në të ardhmen e afërt.
Zyrtarët japonezë dhe koreanojugorë u takuan së bashku të martën më vonë dhe diskutuan mënyrat për të përmirësuar lidhjet e vendeve të tyre, të cilat u tensionuan keq për shkak të mosmarrëveshjeve që vinin nga veprimet japoneze të kohës së luftës, duke përfshirë abuzimin e punëtorëve të detyruar koreanë dhe detyrimin e vajzave dhe grave të reja për të punuar në shtëpi publike për ushtarët japonezë. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



