Shefi i OKB-së: SHBA dhe Irani t’i japin fund konfliktit. Të kthehen te diplomacia

Botë | 29 minuta më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, ka bërë një thirrje të fortë dhe të qartë drejtuar të gjitha palëve të përfshira në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, duke kërkuar që të ndalet lufta, të rikthehet diplomacia dhe të rivendosen të drejtat e lundrimit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Guterres foli sot në një konferencë për shtyp në Islamabad, krahas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar.

Në deklaratën e tij, ai theksoi: Nga Islamabadi dëshiroj të dërgoj një mesazh të fortë dhe të qartë për të gjitha palët: Përfundoni konfliktin, kthehuni te diplomacia dhe rivendosni plotësisht të drejtat dhe liritë e lundrimit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ai e lidhi drejtpërdrejt paqen në rajon me çështjen palestineze, duke deklaruar se “nuk do të ketë kurrë paqe në rajon derisa të njihet e drejta e popullit palestinez për vetëvendosje, ashtu siç e ka mbrojtur prej kohësh Pakistani”.

Guterres vlerësoi lart rolin e Pakistanit në ndërmjetësimin mes SHBA-së dhe Iranit. Ai tha se “fryma e angazhimit të Pakistanit është në qendër të çështjeve të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare” dhe se përpjekjet e Islamabadit kanë ndihmuar në krijimin e kushteve për dialog.

“I përshëndes udhëheqësit e Pakistanit që ndihmuan në krijimin e kushteve për dialog mes SHBA-së dhe Iranit dhe që ndërmjetësuan në këtë konflikt. Përpjekjet tuaja ndihmuan në arritjen e memorandumit të mirëkuptimit të Islamabadit, të armëpushimit të mëvonshëm dhe të kuadrit për negociatat e ardhshme. Çdo pakistanez duhet të jetë krenar për këtë rol thelbësor,” theksoi Guterres.

Sipas raporteve, Pakistani ka luajtur një rol kyç në arritjen e memorandumit të 17 qershorit 2026, i cili çoi në një armëpushim të përkohshëm dhe në një kuadër për negociata të mëtejshme, përfshirë çështjen e Ngushticës së Hormuzit dhe programin bërthamor të Iranit.

Megjithatë, konflikti ka vazhduar me tensionime të reja, duke ndikuar në furnizimet me energji dhe në lundrimin ndërkombëtar.

Vizitë e Guterres në Pakistan pritet të vazhdojë deri më 8 tetor, ku ai do të takojë presidentin, kryeministrin dhe shefin e ushtrisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme