Shefi i OKB thirrje qeverive: Kompanitë e naftës dhe gazit të përballen me taksa të veçanta, po përfitojnë nga kriza

Lufta në Ukrainë e nisur më 24 shkurt nga Rusia, ka përkeqësuar mungesën globale të naftës dhe gazit dhe për pasojë ka sjellë dhe rritjen e çmimeve. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje që kompanitë e naftës dhe gazit të përballen me taksa të veçanta. Kjo pasi sipas tij, është e papranueshme që firmat të përfitojnë nga kriza.
Komentet e tij vijnë pasi rritja e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë i shtyn fitimet e industrisë në nivele të reja.
“Kjo lakmi groteske po ndëshkon njerëzit më të varfër dhe më të cenueshëm, ndërsa shkatërron shtëpinë tonë të vetme të përbashkët. Unë u bëj thirrje të gjitha qeverive të tatojnë këto fitime të tepërta dhe të përdorin fondet për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në këto kohë të vështira. Shumë vende në zhvillim – të mbytur në borxhe, pa akses në financa dhe duke luftuar për t’u rikuperuar nga pandemia Covid-19 – mund të shkojnë në prag. Ne tashmë po shohim shenjat paralajmëruese të një vale trazirash ekonomike, sociale dhe politike që nuk do të linin asnjë vend të paprekur”, tha Guterres.
Sipas BBC, BP raportoi së fundmi fitimin e saj më të madh në 14 vjet, ndërsa fitimet e Shell në periudhën prill-qershor arritën një rekord.
Së bashku, katër nga firmat më të mëdha të energjisë Exxon, Chevron, Shell dhe TotalEnergies, fituan rreth 51 miliardë dollarë në tremujorin e fundit, pothuajse dyfishi i asaj që fituan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar miratoi një ‘taksë të papritur’ 25% për firmat e energjisë, një taksë e vetme që qeveria thotë se do të mbledhë rreth 25 miliardë paund për të ndihmuar në kompensimin e faturave të energjisë shtëpiake, të cilat janë rritur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




