Shëngjini i rezervuar edhe në shtator, përfundimi i verës dhe moti i paqëndrueshëm nuk mbyll sezonin
Moti i paqëndrueshëm i fundjavës dhe fundi i stinës së verës nuk e ka mbyllur sezonin turistik në Shëngjin. Vija bregdetare nga Rana e Hedhur deri në Kune vijon të jetë e populluar me pushues, ndërsa pritshmëritë pozitive mbeten përgjatë gjithë muajit shtator.
“Realisht, mbyllëm një sezon 3-mujor të verës, të jashtëzakonshëm, me një fluks dhe interesim të jashtëzakonshëm, por kjo vazhdon edhe në muajin shtator. Jemi në datën 1 shtator dhe jemi te ajo shprehja tipike që vera nuk mbaron me gushtin,” tha Xhulio Nikolli, menaxher resorti.
Operatorët turistikë shprehen se ky shtator po rezulton i favorshëm për bizneset, duke e zgjatur sezonin përtej muajve tradicionalë të verës.
“Pritshmëritë për muajin shtator janë thuajse të njëjta si në muajin gusht. Ne jemi të lidhur me një kompani dhe ai e ka të gjithë muajin shtator të rezervuar,” deklaron Besnik Sula, operator turistik.
Gjatë kësaj periudhe, dominojnë pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por nuk mungojnë edhe turistët nga vende të ndryshme të Evropës Lindore, duke e mbajtur atmosferën e gjallë dhe bizneset aktive në bregdetin e Lezhës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





