Shëngjini tërheqës për të huajt, Rana e Hedhun “pushtohet” nga kamperat

Aktualitet | 1 vit më parë

Me dhjetëra kampera janë stacionuar në vijën bregdetare të Shëngjinit. Rana e Hedhun është kthyer në një destinacion mjaft të populluar nga turistë të huaj, të cilët, ky fund shtatori, i gjen duke eksploruar bukuritë e natyrës shqiptare.

Duke përfituar nga moti i ngrohtë dhe me diell, të huajt vlerësojnë, jo vetëm natyrën, por edhe çmimet e arsyeshme, si dhe mikpritjen e vendasve.

“Unë kam qenë dhe herë të tjera në zonën e Lezhës dhe vendosa të rikthehem sërish. Këtu ka det, lagunë dhe mal, ndaj dhe më pëlqen shumë. Rana e Hedhun është një perlë bregdetare dhe ia vlen të vizitohet. Do të qëndrojmë për tre ditë këtu dhe pastaj do të lëvizim edhe në zona të tjera të Shqipërisë.”

“Ne kemi ardhur nga Gjermania dhe po bëjmë një tur në të gjithë Ballkanin. Shëngjinin e kemi parë në rrjete sociale dhe vendosëm që të vijmë. Këtu është një vend i mrekullueshëm dhe po i përmbush në maksimum pritshmëritë. Ndërthurja e malit me detin të jep mjaft qetësi. Po ashtu, mikpritja e vendasve duhet vlerësuar shumë.”

“Kam ardhur këtu prej dy ditësh. E kemi parë në rrjete sociale dhe vendosëm ta provojmë dhe jemi shumë të kënaqur. Ka vend të bollshëm për kamperin dhe po shijojmë në maksimum rrezet e diellit dhe freskinë e detit. Do t’iu sugjeroja dhe miqve e të njohurve të mi që të vijnë këtu sepse vërtet ia vlen”, thanë disa nga turistët e huaj.

Për operatorët turistikë, bazuar në numrin e prenotimeve, duket se kërkesat e larta do të vijojnë deri në nëntor.

“Çdo ditë vijnë shumë turistë të huaj, dhe mendoj se ata gjejnë vetën këtu. Mendoj se tani kanë nisur prenotimet”, u shpreh operatori turistik Marjo Gjini.

Me natyrën e tij unike, Shëngjini po kthehet në një pikë turistike për të gjithë ata që kërkojnë qetësinë, pastërtinë dhe përvoja të veçanta, ndërsa zona e Ranës së Hedhur mbetet destinacioni më tërheqës.

Gazetare: Elda Lamja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme