Sherr mes dy personave në një lokal në Durrës, plagoset me armë zjarri avokati 52-vjeçar

Aktualitet | 2 ditë më parë

Një avokat ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1, në shëtitoren “Taulantia”, ku dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin në ambientet e një lokali. Gjatë debatit, njëri prej tyre ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur personin tjetër, 52-vjeçarin Elton Shllaku, me profesion avokat.

I plagosuri, është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Policia vijon hetimet për të përcaktuar shkaqet e konfliktit dhe dinamikën e plotë të plagosjes.

NJOFTIMI I POLICISË
Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 17:30, në lagjen Nr. 1, Durrës, shtetasi F. F., 61 vjeç, banues në lagjen Nr. 1, Durrës, dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në dorë shtetasin E. Sh., 52 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme