Shkodër/ Kontrolle me dron, radar e makina inteligjente, pezullohen 9 leje drejtimi, 2 shoferë në pranga

Aktualitet | 55 minuta më parë

Policia Rrugore e Shkodrës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente për monitorimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve.

Kontrollet janë përqendruar te drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit, veçanërisht ata që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë, kryejnë parakalime të gabuara, përdorin celularin gjatë drejtimit apo nuk vendosin rripin e sigurimit.

Gjatë dy javëve të fundit, si rezultat i kontrolleve, janë arrestuar 2 persona dhe janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Gjithashtu, janë pezulluar 9 leje drejtimi.

Në të njëjtën periudhë janë vendosur 2268 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Konkretisht:

102 masa për parakalime të gabuara;

237 për tejkalim të normave të shpejtësisë;

9 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit;

80 për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

37 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit;

104 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

36 për qarkullim me xhama të riveshur;

1295 për parkim ose qëndrim të gabuar;

368 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor;

Policia Rrugore e Shkodrës njofton se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me përdorimin e mjeteve bashkëkohore të monitorimit.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme