Shkodra gjithnjë e më tërheqëse për turistët. Muzeu Historik, një nga pikat më të vizituara

Shkodra është një nga destinacionet më të kërkuara turistike në veri të vendit, falë pasurive të saj natyrore, historisë së pasur dhe trashëgimisë kulturore që e karakterizon.
Një ndër pikat më të vizituara nga turistët, veçanërisht ata të huaj, mbetet Muzeu Historik, që ofron një panoramë të gjerë të historisë se qytetit, përmes objekteve autentike, ekspozitave dhe elementeve etnografike. Turistët e cilësojnë këtë muze si një dëshmi të gjallë të historisë dhe kulturës së pasur të kësaj zone.
“Vij nga Holanda. Hera e parë që jemi në Shqipëri. Ky është një muze shumë i bukur. Më pëlqen në veçanti seksioni arkeologjik. Është ndërtuar bukur si rrjedhë, mënyra se si kanë jetuar njerëzit këtu më parë: gratë ishin të ndara nga burrat, për shembull,” shprehet një turist.
Përgjegjësja e Muzeut Historik të Shkodrës, Majlinda Laçej, thotë se interesi më i madh vjen nga studiues, etnografë dhe historianë të huaj, të cilët duan të njohin më në thellësi historinë dhe traditat vendase.
“Sezoni turistik duket se ka filluar mbarë, faktikisht, në Muzeun Historik të qytetit të Shkodrës. Mund të them që kemi turistë cilësorë, sepse nga kërkesat për të vizituar departamente të ndryshme të muzeut, kërkojnë specifikisht edhe për vjetërsinë e objekteve, për origjinën, një sqarim më tepër. Kemi pasur arkeologë, historianë profesionistë, kështu që mund të themi me plot gojën se Muzeun Historik të Shkodrës e vizitojnë një ansambël turistësh shumë cilësorë,” thotë znj. Laçej.
Për këtë sezon veror, Muzeu Historik i Shkodrës pritet të jetë në qendër të një sërë aktivitetesh promovuese.
“Përveç programeve të edukimit, këtu kemi të bëjmë me pasurimin e fondit muzeor. Kemi edhe aktivitete promovuese me organizata të ndryshme,” shprehet përgjegjësja e Muzeut Historik të Shkodrës.
Vetëm në pesë muajt e parë të vitit, përpara nisjes zyrtare të sezonit turistik, muzeu është vizituar nga mbi 1.300 turistë, shumica prej tyre shtetas të huaj.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





