Shkodra rrit turizmin me 30% për 2025-ën. Bashkia synon ta rrisë këtë shifër edhe më shumë në 2026-ën
Sezoni turistik për Bashkinë Shkodër është mbyllur me një rritje prej rreth 30% krahasuar me vitin e kaluar. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Turizmit në Bashkinë Shkodër, Renato Lumçi, i cili thekson se synimi është që ky trend pozitiv të ruhet dhe pse jo, të shënojë një rritje edhe më të madhe gjatë vitit 2026, për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave dhe kërkesave në rritje të turizmit.
“Kulmimi i sezonit të verës ka qenë 30% më shumë se viti i kaluar dhe shpresojmë që të mbajmë këtë përqindje rritje edhe për 2026. Jemi në gatishmëri për të organizuar më shumë aktivitete dhe për të qenë më afër kërkesave të turistëve në bashkëpunim me operatorët turistikë”, u shpreh Lumçi.
Sipas Lumçit, ndër destinacionet më të frekuentuara vijojnë të mbeten qyteti i Shkodrës dhe Kalaja e Rozafës, por pa asnjë diskutim, në krye të listës renditet fshati turistik i Thethit, të cilin ai e cilëson si një diamant të vërtetë të Shqipërisë.
“Është qytetit që kulmon me kalanë, pikat turistike dhe Shirokës. Padiskutim që Thethi është një ndër “diamantet” e Shqipërisë dhe me rënien e dëborës në këtë kohë është një panoramë që preferohet nga të gjithë dhe brenda Shqipërisë”, tha ai.
Ndërkohë, vihet re se turizmi në Shkodër po shtrihet gjithnjë e më shumë gjatë gjithë vitit, duke u kthyer në një sektor të qëndrueshëm ekonomik. Kjo ka ndikuar pozitivisht në aktivitetin e bareve, restoranteve, hoteleve, agjencive turistike, transportit dhe njësive të tjera që ofrojnë produkte dhe shërbime turistike.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





