Shpërndanin drogë në qytetin e Lushnjës, arrestohen dy persona. Sekuestrohen kokainë dhe armë zjarri

Aktualitet | 38 minuta më parë

Dy persona janë arrestuar  në Lushnjë, të dyshuar për shpërndarje të kokainës në qytet. Pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, sekuestroi rreth 320 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, municion luftarak, peshore elektronike, grirëse bimësh narkotike dhe 6 celularë.

Në kuadër të operacionit u arrestuan E. Sh., 31 vjeç, i cili shpërndante doza kokaine duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi, dhe S. Gj., 39 vjeç, i dyshuar gjithashtu për shitje të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia gjeti sasi të konsiderueshme kokaine, fishekë për armë zjarri, pajisje për ndarjen e dozave dhe disa celularë.

Policia njofton se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme