Shpërthim i fuqishëm në Athinë, shembet godina trekatëshe. 2 viktima dhe 5 të zhdukur

Greqi | 26 minuta më parë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Plakë të Athinës, ku një shpërthim i fuqishëm shkaktoi shembjen e një godine trekatëshe në rrugën Lysikratous. Deri më tani janë konfirmuar 2 viktima, ndërsa 5 persona rezultojnë të zhdukur. Një tjetër i pajetë u gjet mëngjesin e kësaj të shtune nën rrënoja, ndërsa më herët, ekipet e kërkim-shpëtimit kishin nxjerrë nga rrënojat trupin e pajetë të një gruaje amerikane.

Ndërkohë, pesë persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Bëhet fjalë për tre shtetas amerikanë që qëndronin në një apartament me qira në katin e parë të ndërtesës, si dhe një çift të moshuar që banonte në katin e dytë.

Ndërtesat ngjitur me objektin e shembur janë evakuuar për arsye sigurie, ndërsa ekipet po punojnë për të larguar materialet e shembura dhe për të vijuar kërkimet në rrënoja.

Në operacion marrin pjesë rreth 30 zjarrfikës me gjashtë automjete, mes tyre dy mjete speciale të njësisë së parë, si dhe tre qen të trajnuar për kërkim-shpëtim. Bashkia e Athinës po mbështet operacionin me mjete të rënda për largimin e inerteve.

Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta. Autoritetet greke po hetojnë mundësinë e një rrjedhjeje të gazit natyror. Shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha edhe në ndërtesat përreth dhe automjetet e parkuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme