Shqiptarët dhe konsumi i bukës, tradita më e fortë se trendet e reja ushqimore

Kuzhinë | 1 vit më parë

Pavarësisht ndryshimeve në stilin e jetesës dhe rritjes së ndërgjegjësimit për ushqimin e shëndetshëm, buka vazhdon të mbetet pjesë qendrore e tryezës shqiptare. Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, nutricionisti Dorian Meta u shpreh se buka nuk është domosdoshmërish e nevojshme për çdo vakt, por ajo është e rrënjosur thellë në zakonet dhe kulturën shqiptare.

Ai shtoi se buka është më shumë një zakon kulturor sesa një nevojë biologjike dhe kjo reflektohet edhe në mënyrën si shqiptarët e lidhin ushqimin me mikpritjen dhe komunikimin.

“Kur themi do hamë bukë është zakonisht shoqërimi i vaktit apo konsumi i vaktit i cili tregon kohën për tu ushqyer. Buka është një përbërës jo i domosdoshëm por i nevojshëm për tavolinën shqiptare dhe këtu hynë një kohë e gjatë e mos pasjes së bukës dhe një kohë e gjatë që popullit shqiptar i është dashur që të rrijë shumë në punë dhe automatikisht atje ku koha është shumë e gjatë për punën edhe barku duhet të jetë plotë. Mendoj që është një element, zakon i mbetur dhe në ADN tonë ku edhe në festa nuk pyesim si kaluat por pyesim çfarë hëngrët”, u shpreh nutricionisti, Dorian Meta.

Sipas shefit të njohur të kuzhinës, Asim Prengëzaj, në periudhën para viteve ’90, çdo shqiptar konsumonte mesatarisht 500-600 gram brumëra në ditë, ndërsa sot kjo shifër është reduktuar në rreth 300 gram në ditë, ose afërsisht 120 kilogramë në vit.

Prengëzaj thekson se kjo rënie vjen si pasojë e ndikimit të kulturës evropiane të të ushqyerit, veçanërisht asaj italiane, ku përveç bukës janë futur në dietën e përditshme edhe produktet si pastat dhe brioshët.

Ai thekson se ndërkohë që trendi i konsumit të brumërave është në rënie, është koha që vëmendja të përqendrohet te cilësia dhe përbërësit e produkteve që konsumojmë çdo ditë, jo vetëm te tradita apo sasia.

“Në kohët para viteve 90 me statistikat zyrtare ne konsumonin 500-600 gr në ditë brumëra për person ndërsa sot jemi në 300 gr brumë në ditë që e përkthyer në vit jemi rreth 120 kg në vit. Ajo që ndodh është se ka hyrë kultura evropiane e të ushqyerit duke sjell fillimisht bukën dhe ujin në tavolina. Trendi italian ka sjellë edhe brumërat siç janë pastat, brioshët etj.. Te buka një problem që duhet theksuar është, ajo bukë që po hamë  a është e duhura., a është produkti cilësor që na shërben për shëndetin apo jo. Trendi i konsumit të brumit është në rënie dhe jo në rritje”, u shpreh shefi i kuzhinës, Asim Prengëzaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme