Shtëpia e Bardhë kërkon mbrojtjen e publikut nga Inteligjenca Artificiale

Shefat e teknologjisë janë thirrur në Uashington dhe janë këshilluar që ta mbrojnë publikun nga rreziqet e inteligjencës artificiale.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Sundar Pichai nga Google, Satya Nadella nga Microsoft dhe Sam Altmann nga OpenAI e kanë “detyrë morale” ta mbrojnë shoqërinë.
Drejtuesve të teknologjisë, të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë, u është thënë se u takon firmave “të garantojnë sigurinë e produkteve të tyre”.
Ata, po ashtu, janë paralajmëruar se administrata e presidentit Joe Biden është e hapur ndaj rregulloreve dhe legjislacionit të ri për të mbuluar inteligjencën artificiale.
Sam Altmann, shefi ekzekutiv i OpenAi – firmës që qëndron pas ChatGPT-it u ka thënë gazetarëve se, sa i përket rregullores, udhëheqësit e teknologjisë “kanë ndarë të njëjtin mendim për atë që duhet të ndodhë”, por nuk ka ofruar më shumë detaje.
Shtëpia e Bardhë ka ndarë 140 milionë dollarë nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës për të krijuar shtatë institute të reja kërkimore të inteligjencës artificiale.
Në fillim të kësaj jave, personi që është konsideruar “baba” i inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton, la punën e tij në Google, duke thënë se është penduar për punën që ka bërë.
Ai tha për BBC-në se disa nga rreziqet e produkteve të inteligjencës artificiale janë “mjaft të frikshme”.
Produktet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT dhe Bard, të vëna në funksion së fundmi, kanë rrëmbyer imagjinatën e publikut.
Ato u ofrojnë përdoruesve të zakonshëm mundësi për të bashkëvepruar me atë që njihet si “inteligjencë artificiale gjeneruese”, e cila mund të përmbledhë informacione nga burime të shumta brenda sekondave, të shkruajë prezantime, e madje edhe poezi, që tingëllojnë në mënyrë të besueshme, sikur të jenë të shkruara nga njerëz.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




