Shtyhet seanca për Metën dhe Kryemadhin, mungon gjyqtarja. Avokati refuzon mbrojtjen për shkak të bojkotit: Rrezikoj licencën

Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e një prej anëtareve të trupit gjykues, Rudina Palloj.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm avokatët e Metës dhe Kryemadhit, ndërsa kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani, i kërkoi avokatit të Ilir Metës, Bujar Musta, të shpjegonte përse nuk dëshironte të përfaqësonte klientin e tij, pavarësisht se ndodhej në sallën e gjyqit.
Musta deklaroi se ndihej i kërcënuar për shkak të vendimeve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotimin e seancave gjyqësore. Sipas tij, nëse thyen bojkotin, rrezikon heqjen e licencës së avokatit.
Kryesuesi i seancës, Erjon Bani, i bëri me dije avokatit se mosmarrja pjesë në proces mund të cenojë administrimin e drejtësisë dhe përbëjë vepër penale, duke iu referuar nenit 264 të Kodit Penal, “Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë”.
Gjatë seancës, Ilir Meta deklaroi se situata po cenon interesat e tij për një proces të rregullt gjyqësor. Ai theksoi se avokati ndodhet në një pozitë të vështirë për shkak të detyrimeve që lidhen me licencën e tij profesionale.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024. Dosja ndaj tij dhe Monika Kryemadhit përfshin tre çështje të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në Shtetet e Bashkuara dhe hetimin pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga Prokuroria për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë, akuza të cilat ato i kanë kundërshtuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



