Shuhet ankthi i diplomave – ChatGPT, aplikacioni që “zëvendëson studentët”

Arsim | 1 vit më parë

Përdorimi i ChatGPT-së në masë ka ndihmuar mjaft në zgjidhje dhe në kohë të shpejtë të situatave.

Po aq përdorimi pa etikë i këtij aplikacioni ngre shqetësimin nga pedagogët për ndërtimin e detyrave të kursit e deri tek mbrojtja e diplomave.  

“Problemi më i madh vitin që shkoi, por edhe këtë vit, është përballja masive me fenomenin e përgatitjes dhe dorëzimit të diplomave – bëhet fjalë për diploma Bachelor dhe Master – të ndërtuara ose të hartuara totalisht nëpërmjet përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Dallimi është i qartë për vetë mënyrën se si rrjedh logjika e përdorimit të informacionit,” shprehet Prof. Elvin Meka.

Edhe pse nuk është kundra për përdorimin e inteligjencës artificiale, pedagogu Meka është i mendimit se institucionet arsimore luajnë rol të rëndësishëm në orientimin e studentëve.

“E para, të lejojnë përdorimin etik të teknologjisë dhe bazuar në atë çfarë nxënësi dhe studenti nxjerr si pasojë e shfrytëzimit të teknologjisë, të kërkojnë mendimin kritik,” tregon profesori.

Për një lektor dallimi është i qartë, ndërsa forma klasike e provimit me gojë është një formë e minimizimit të problemit.

“Nëse eseja, detyra, tema është tërësisht e nxjerrë me Inteligjencë Artificiale ajo kthehet mbrapsht. Nëse i ka shpëtuar syrit mbrojtës ose kritik, kur një temë diplome shkon në Komision, zgjidhjet të jenë rast pas rasti dhe sipas disiplinave, dhe llojeve të shkencave ku aplikohet. Kryesisht në shkencat sociale duhet të jetë domosdoshmëri,” thotë pedagogu.

Qasja me zhvillimet teknologjike është një mënyrë efikase për të arritur rezultate, po aq sa shpie në ekspozimin e rrezikshëm nga keqpërdorimi i mundshëm.  

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme