Situata në Durrës pas zjarrit në Shkozet, Karakaçi: Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ka bërë të ditur se situata e furnizimit me energji elektrike në qytetin e Durrësit vazhdon të jetë e vështirë, si pasojë e zjarrit të rënë në një objekt privat (magazinë) në afërsi të rrjetit 110 kV në Shkozet.

Sipas Karakaçit, zjarri ka shkaktuar stakimin e linjave 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit në orën 15:40, duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike në qytet.

Njëra nga këto linja mbahet e stakuar si masë sigurie, me kërkesë të shërbimit zjarrfikës, i cili po vazhdon punën për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit.

“Situata e krijuar nga zjarri i rënë në një objekt privat (magazinë) në afërsi të rrjetit 110 kV në Shkozet vijon të jetë e rënduar. Shërbimi zjarrfikës po vazhdon punën për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit, ndërsa njëra nga linjat 110 kV mbahet e stakuar si masë sigurie, me kërkesë të zjarrfikësve.

Në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit”, shkruan Karakaçi.

Karakaçi thekson më tej se brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST sh.a.) ndodhen në terren dhe do të ndërhyjnë për riparimin e defektit dhe dëmeve të shkaktuara në linjën 110 kV menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit.

Nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) janë marrë masa të menjëhershme për furnizimin e një pjese të zonave përmes linjave alternative (unazë).

Ai shtoi se furnizimi me energji është rikthyer pjesërisht në Durrës dhe po punohet intensivisht për normalizimin e plotë të situatës.

“Megjithatë, situata mbetet e vështirë, pasi furnizimi përmes unazimeve nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë për shkak të ngarkesës së lartë në rrjet.

Rivënia në punë e linjave 110 kV do të bëhet sapo të jetë shuar plotësisht zjarri dhe të krijohen kushtet e nevojshme për ndërhyrjen e sigurt të ekipeve në terren.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për situatën e krijuar dhe siguron se strukturat e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë për të rikthyer sa më parë energjinë në të gjithë zonën e prekur”, thekson më tej Karakaçi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme