Situata në Venezuelë, ministri i Mbrojtjes: Protestat janë “grusht shteti”

Botë | 2 vite më parë

Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës i ka përshkruar protestat antiqeveritare që shpërthyen pas rezultateve të diskutueshëm të zgjedhjeve, si “një grusht shteti”.

Njerëzit dolën në rrugë nëpër qytetet e Venezuelës në shenjë proteste pasi autoriteti zgjedhor i dominuar nga qeveria shpalli fitues në postin e presidentit, Nicolás Maduro.

Dy OJQ-të kryesore në Venezuelë kanë thënë se ka pasur disa të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Teksa njerëzit u mblodhën për mitingje të reja proteste, gjenerali Vladimir Padrino lexoi një deklaratë duke thënë se presidenti Nicolás Maduro kishte “besnikëri absolute dhe mbështetjen e pakushtëzuar” të forcave të armatosura, të cilat do të “mundnin grushtin e shtetit”.

Ai u tha gazetarëve se shumica do të akuzoheshin për “rezistencë ndaj autoritetit dhe, në rastet më të rënda, terrorizëm”.

Partia paralajmëroi se qeveria po shtonte represionin e saj ndaj aktivistëve që kanë kërkuar publikimin e rezultateve nga qendrat e votimit, të cilat opozita thotë se dëshmojnë se kandidati i tyre fitoi.

Protesta shpërtheu pasi kreu i Këshillit Kombëtar Zgjedhor (CNE) – i cili është anëtar i partisë së Maduros dhe ka punuar si këshilltar i tij ligjor – e deklaroi presidentin të rizgjedhur për një mandat të tretë radhazi.

CNE kishte njoftuar më herët se Maduro kishte fituar me 51% të votave, përpara Edmundo González me 44%.

Megjithatë, autoriteti zgjedhor deri më tani ka dështuar të publikojë të dhënat e detajuara të votave, të cilat sipas opozitës tregojnë se rezultati i shpallur nga CNE ishte manipuluar.

Koalicioni i opozitës që mbështet zotin González tha se ata kishin mundur të rishikonin 73.2% të numrit të votave dhe pohoi se ata konfirmuan se zoti González ishte fituesi me një diferencë të madhe.

Partitë opozitare u bashkuan me njëra-tjetrën rreth Gonzálezit në përpjekje për të rrëzuar presidentin Maduro pas 11 vitesh në pushtet, ku pakënaqësia vijon të jetë në rritje. Ndërsa gati 7.8 milionë njerëz  janë larguar nga vendi si pasojë e krizës ekonomike dhe politike që ka tronditur vendin nën administratën e Maduros.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme