Situata nga zjarret/ 10 vatra në vend, 5 vijojnë aktive, ndërhyrje me helikopterë në disa zona

Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa qarqe të vendit. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se deri në orën 14:00 janë raportuar gjithsej 10 vatra, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara. Në operacione janë angazhuar qindra efektivë, mjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike situatën më të fundit të zjarreve në vend, duke informuar mbi ndërhyrjet që po zhvillohen në disa zona.
Deri në orën 14:00, në të gjithë territorin janë raportuar 10 vatra zjarri. Nga këto, 5 vijojnë aktive, ndërsa 4 janë në monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 21 automjete zjarrfikëse dhe 153 forca operacionale. Në mbështetje të tyre janë vendosur edhe 125 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Dajt dhe Priskë e Madhe
Në Dajt, situata vijon të mbahet nën monitorim.
Në Cikallesh të bashkisë Kavajë, zjarri është shuar plotësisht, ndërsa zona po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.
Ndërkohë, në Priskë e Madhe vijon ndërhyrja në terren. Në operacion janë angazhuar 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë të MZSH-së, të mbështetur nga një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat dhe zonat e banuara.
Situata në Mallakastër dhe Patos
Në Mallakastër, vatrat e zjarrit në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen janë shuar plotësisht dhe aktualisht po mbahen nën monitorim. Edhe zjarri në Drenie, bashkia Patos, është vënë plotësisht nën kontroll dhe po monitorohet nga strukturat përgjegjëse.
Krujë, ndërhyrje me helikopter në Krastë
Në Krujë, zjarri në Abaze vijon të jetë aktiv, por sipas autoriteteve nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Situata është më e vështirë në Krastë, ku zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në një masiv pyjor. Për përballimin e flakëve në këtë zonë po operojnë forcat vendore, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Edhe në Krastë, pavarësisht përhapjes së zjarrit në masivin pyjor, nuk raportohet rrezik për banesat.
Shuhet zjarri në Vilëz
Në Vilëz të bashkisë Kurbin, ndërhyrja e forcave vendore, e mbështetur nga 35 efektivë të Forcave të Armatosura, ka bërë të mundur shuarjen e plotë të zjarrit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri është shuar në orën 13:00, ndërsa zona vijon të mbahet nën kontroll për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Vatra aktive në Përmet dhe Malësi të Madhe
Ndërkohë, aktive mbeten edhe vatrat në malin e Nemëçkës, në bashkinë Përmet, dhe në zonën Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe. Të dyja vatrat ndodhen në terrene të vështira dhe në lartësi të mëdha, çka e vështirëson ndërhyrjen e forcave në terren. Megjithatë, sipas autoriteteve, asnjëra prej këtyre vatrave nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në të gjitha zonat ku zjarret vijojnë aktive, operacionet për shuarjen dhe izolimin e tyre janë ende në zhvillim.
Aktualisht nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara, ndërsa strukturat vendore dhe ato të Forcave të Armatosura vijojnë të monitorojnë situatën.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë koordinimin e operacioneve dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin, me fokus mbrojtjen e jetës, banesave dhe zonave të banuara.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




