Situata nga zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: 27 vatra në 24 orë, 5 vijojnë aktive, qindra forca dhe mjete të angazhuara

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 27 vatra zjarri, 5 prej të cilave vijojnë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale. Në mbështetje të operacioneve janë vënë gjithashtu 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë e FA-së, 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në Cikallesh të bashkisë Kavajë vijon puna për shuarjen e vatrave të mbetura, ndërsa situata nuk paraqitet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Dajt dhe Priskë të Madhe situata po monitorohet dhe nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Mallakastër, zjarri në aksin Panahor–Ndrenie–Vlosh është nën kontroll. Nën kontroll është vendosur edhe zjarri në zonën Koilaç–Greshicë/Hekal, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Abaze, bashkia Krujë, zjarri është reduktuar në vatra të vogla dhe nuk paraqet rrezik për komunitetin. Ndërkohë, në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, operacioni po vijon me mbështetje ajrore nga një helikopter i Forcës Ajrore. Në afërsi të vatrës nuk ka banesa dhe nuk paraqitet rrezik i drejtpërdrejtë për komunitetin.
Në Vilëz të bashkisë Kurbin zjarri vijon aktiv. Ndërhyrja e dy helikopterëve të FA-së gjatë ditës së djeshme ka frenuar avancimin e flakëve dhe ka shmangur rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, ndërsa ndërhyrje të suksesshme janë kryer në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave dhe zonave të banuara.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




