Sllovakët protestojnë kundër ndryshimeve të kodit penal

Mijëra persona u mblodhën mbrëmjen e së enjtes në kryeqytetin Bratislë të Sllovakisë për të protestuar kundër reformës në kodin penal që është propozuar nga qeveria e vendit për të cilën kritikët thonë se do të dobësojë luftën kundër korrupsionit, do të zbusë dënimet si dhe do të eliminojë organizatat apo individët që raportojnë rastet e korrupsionit.
Planet e qeverisë erdhën pasi kryeministri Robert Fico argumentoi se prokuroria ishte e njëanshme dhe trajtonte ministrat e tij në mënyrë të padrejtë. Reforma ndërkohë është kritikuar nga presidentja e vendit Zuzana Caputova dhe Bashkimi Europian.
Sipas Caputovës, ndryshimet në kodin penal vinin në rrezik sundimin e ligjit. Parlamenti europian ndërkohë ka vënë në pikëpyetje aftësinë e Sllovakisë për luftën kundër korrupsionit si dhe mbrojtjen e buxhetit europian nëse ndryshimet miratohen. Sipas reformës së propozuar nga koalicioni qeveritar që drejton Sllovakinë, zyra e prokurorit special e cila merret me krime të rënda, si korrupsioni, krimi I organizuar dhe ekstremizmi, do të shkrihet. Rastet që ajo trajton do të merren përsipër nga prokuroritë rajonale, të cilat prej 20 vitesh nuk janë marrë me to.
Në ndryshimet e propozuara parashikohet edhe ulja e dënimeve për rastet e korrupsionit dhe disa krime të tjera si dhe mundësia e pezullimit të tyre dhe një shkurtim të ndjeshëm të afatit të parashkrimit të dënimeve. Këto ndryshime qeveria synon t’i kalojë në procedurë të përshpejtuar në parlament.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




