“SPAK ka informuar Kryeministrin për situatën”, Bregu: Pritet një akuzë më e rëndë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH
Gazetari Zylyftar Bregu, i ftuar në emisionin “3D” me Alban Dudushin, ka komentuar mbi masën e sigurisë “arrest shtëpie” të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, të ekzekutuara mbrëmjen e së martës.
Bregu tha se personi që ka nxjerrë materialin e publikuar në media ka deklaruar se e ka marrë nga Gjykata dhe jo nga SPAK. “Pra mund të jetë material i SPAK, por ka dalë prej andej,” – u shpreh ai.
Sipas tij, ngjarja është shumë e rëndë dhe kërkon analizë të thelluar. Ai theksoi se sjellja e ish-drejtoreshës është e pajustifikueshme:
“Që kur SPAK fillon hetimin ndaj Ergys Agasit, ajo vazhdon komunikimin me të. Thjesht fakti që ajo komunikon me të, edhe sikur të mos i ketë dhënë asgjë, është i patolerueshëm për një drejtoreshë shërbimi sekret.”
Bregu shtoi se materialet komprometuese për Vlora Hysenin nuk janë gjetur tek ajo, por tek personi tjetër i arrestuar, Ergys Agasi.
Ai nënvizoi se nga informacionet që disponon, SPAK në rrugë të ndryshme ka informuar edhe Kryeministrin për këtë situatë.
“Kohën dhe mënyrën se si e ka informuar nuk jam në gjendje ta them, sepse janë konfidenciale. Qëndrimet që ka mbajtur Kryeministri, motivet që ka vepruar kështu që të bënte një shkarkim më të parakohshëm…”
Në përfundim, gazetari Bregu paralajmëroi se pritet një akuzë edhe më e rëndë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, përtej dy akuzave që janë ngritur deri tani.
/rtsh.al/
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




