Stoltenberg: Nëse Rusia fiton mbi Ukrainën, Kina do të pushtojë Tajvanin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO–s, Jens Stoltenberg ka paralajmëruar se një fitore ruse në Ukrainë do të krijonte një precedent për Kinën për të pushtuar Tajvanin.
Jens Stoltenberg tha se Kina mund të inkurajohet të marrë Tajvanin me forcë nëse pushtimi i Putinit ka sukses në Ukrainë, duke argumentuar se “ajo që ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azi “.
“Rezultati i luftës në Ukrainë ndikon në përfundimet që do të nxirren në Pekin. Kjo përfshin Tajvanin. Nëse Putini arrin atë që dëshiron me Ukrainën duke thyer ligjin ndërkombëtar dhe duke përdorur forcën ushtarake, atëherë është një mesazh për liderët e tjerë autoritarë, gjithashtu në Pekin, se ata mund të arrijnë atë që duan duke përdorur forcën ushtarake”, tha Stoltenberg.
Paralajmërimi erdhi pasi Stoltenberg pranoi se qyteti i shkatërruar ukrainas i Bakhmut ka të ngjarë të bjerë në duart e Rusisë në ditët në vijim pas muajve të luftimeve të ashpra.
Presidenti autoritar i Kinës Xi Jinping e ka bërë të qartë se ai e konsideron ishullin e Tajvanit si pjesë të Kinës sipas doktrinës “Një Kinë”.
Presidenti i Tajvanit, i zgjedhur në mënyrë demokratike, Tsai Ing-Ëen, argumenton se ishulli është një shtet vetëqeverisës, njerëzit e të cilit në masë dërrmuese refuzojnë ribashkimin me Kinën kontinentale.
Megjithëse rrethanat që lidhen me një pushtim të mundshëm kinez të Tajvanit mund të krahasohen me pushtimin rus të Ukrainës, të dy konfliktet në realitet do të ishin shumë të ndryshme, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta ekonomike dhe tregtare që Taipei dhe Pekini ndajnë me shumë vende perëndimore dhe lidhjet e thella ushtarake të Amerikës me Tajvani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




