Studimi: 50% e të rinjve do të preferonin një botë pa internet

Një studim i fundit i kryer në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se pothuajse gjysma e të rinjve të moshës 16–21 vjeç do të preferonin një botë pa internet. 46% e të anketuarve janë shprehur në mbështetje të vendosjes së një “ore policore dixhitale”, e cila do të kufizonte aksesin në internet në orare të caktuara gjatë ditës.
Studimi, i realizuar nga Instituti Britanik i Standardeve, përfshiu 1,293 të rinj, ku gati 70% e të rinjve deklaruan se ndihen më keq me veten pas kohës së kaluar në rrjetet sociale.
Rezultatet erdhën në një kohë kur sekretari britanik i teknologjisë, Peter Kyle, la të kuptohej se qeveria po shqyrton mundësinë për të kufizuar përdorimin e aplikacioneve si TikTok dhe Instagram në orare të caktuara.
Rani Govender, menaxhere e politikave për sigurinë e fëmijëve në internet, tha se orët policore dixhitale mund të jenë një hap pozitiv, por të pamjaftueshëm.
“Duhet ta bëjmë të qartë se vetëm një orë policore dixhitale nuk do t’i mbrojë fëmijët nga rreziqet me të cilat përballen në internet. Ata do të jenë në gjendje t’i shohin të gjitha këto rreziqe në momente të tjera të ditës dhe ato do të kenë ende të njëjtin ndikim,” theksoi ajo.
Govender nënvizoi se prioriteti i qeverisë dhe kompanive teknologjike duhet të jetë garantimi i qasjes në “faqe më të sigurta dhe më pak problematike” për fëmijët dhe të rinjtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




