Sulmi me armë në ambasadën e Azerbajxhanit në Teheran, vritet shefi i sigurisë dhe plagosen dy të tjerë

Një person i armatosur hyri në ambasadën e Azerbajxhanit në kryeqytetin iranian dhe vrau një person të premten, konfirmuan ministritë e jashtme të Iranit dhe Azerbajxhanit në deklarata të veçanta, të dyja duke përmendur motive të ndryshme për sulmin vdekjeprurës. Sulmuesi hapi zjarr me një pushkë kallashnikov, duke vrarë shefin e shërbimit të sigurisë të ambasadës dhe duke plagosur dy roje sigurie, sipas Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha në një deklaratë se “një fushatë e fundit anti-azerbajxhane kundër vendit tonë në Iran ka inkurajuar sulme të tilla kundër misionit tonë diplomatik“.
Agjencia iraniane e lajmeve gjyqësore Mizan tha se sulmuesi ishte i pakënaqur për gruan e tij të zhdukur, e cila dyshohet se kishte vizituar ambasadën e Azerbajxhanit në Teheran dhe se stafi i ambasadës nuk iu përgjigj pyetjeve të tij gjatë vizitave të tij të përsëritura.

Policia dhe forcat e sigurisë arrestuan sulmuesin, i cili tani është nën hetim, sipas Ministrisë së Jashtme iraniane. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit njoftoi më vonë një evakuim të plotë të stafit të ambasadës dhe familjeve të tyre, duke fajësuar një “fushatë anti-azberbaixhane” nga Irani për sulmin.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, tha se sulmuesi kishte motive “personale”. Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev e quajti sulmin një akt “terrorist”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




