Syri i kaltër – Uji i kristaltë dhe peizazhi, ftesë për t’u çlodhur, të huajt pjesë të agjendës
Syri i Kaltër vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara nga turistët e huaj këto ditë vere. Burimi i famshëm natyror me ujin e tij të kristaltë dhe panoramën mahnitëse, po tërheq vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
“Për herë të parë vizitoj Shqipërinë. Zgjodha të vij këtu sepse kisha dëgjuar shumë për bukurinë e Syrit të Kaltër. Në të vërtetë është më i mahnitshëm sesa e kisha imagjinuar”, tha turistja.
“Miqtë e mi më rekomanduan Syrin e Kaltër dhe nuk u zhgënjeva. Uji është i pabesueshëm dhe pamja është e mrekullueshme”, tha një tjetër.
Turistët shprehen të impresionuar nga bukuria unike e këtij fenomeni natyror, duke e cilësuar si një nga mrekullitë e Shqipërisë. Përveç vlerës së veçantë që ka peizazhi, shumë prej tyre shijojnë edhe shëtitjet në natyrë dhe qetësinë që ofron ky vend.
“Ky është një vend i jashtëzakonshëm. Syri i Kaltër duket si një mrekulli e natyrës që duhet parë të paktën një herë në jetë”, vlerësoi turistja.
“Jam shumë e lumtur që erdha këtu. Syri i Kaltër është një perlë e Shqipërisë dhe një nga vendet më të bukura që kam parë ndonjëherë”, tha turistja.
Gjatë sezonit turistik, Syri i Kaltër jo vetëm që rrit numrin e vizitorëve të huaj, por kthehet edhe në një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e turizmit lokal dhe ekonominë e zonës. Ky destinacion po tregon se Shqipëria mbetet një pikë referimi për pushime dhe eksplorim natyror.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





