Syri i Kaltër, uji i kristaltë dhe peizazhi unik tërheqin vizitorët

Aktualitet | 1 vit më parë

Edhe në ditët e para të shtatorit, Syri i Kaltër vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të jugut të Shqipërisë. Turistë vendas dhe të huaj vizitojnë çdo ditë këtë mrekulli natyrore për të shijuar ujin e kristaltë dhe peizazhin unik që ofron.

Përveç freskisë dhe bukurisë së rrallë, Syri i Kaltër shihet si një nga simbolet më të veçantë të turizmit shqiptar, duke dëshmuar se edhe jashtë sezonit të verës ai mbetet një pikë tërheqëse për vizitorët.

 “Është hera ime e parë në Shqipëri, unë vijë nga Franca. Sot po vizitojmë Syrin e Kaltër sepse është për ne një nga vendet më të famshme që ka jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota. Na pëlqeu shumë ngjyra e ujit, është mahnitëse”, shprehet turistja.

 “Ne jemi nga Holanda dhe është hera e parë që jemi këtu. Hera e parë në Shqipëri, hera e parë edhe në Syrin e Kaltër. E pamë në Facebook. Në Facebook sheh foto të bukura dhe gjithçka për Shqipërinë, me kalatë, natyrën dhe ujin blu që ka syri i kaltër. Më pëlqen. Është një vend në zhvillim”, vlerësojnë turistët.

Syri i Kaltër është një ndër perlat më të çmuara të natyrës shqiptare, që jo vetëm në muajt e verës, por në çdo stinë të vitit, vazhdon të tërheqë vizitorë vendas dhe të huaj. Uji i kristaltë, legjendat e shumta që lidhen me këtë vend dhe bukuria e peizazhit e kthejnë në një destinacion që mbetet gjithmonë  i kërkuar. Ky interes i pandërprerë tregon edhe një herë potencialin e madh që ka turizmi natyror në vendin tonë.

Gazetare:  B. Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme