Takimi i FBINAA në Tiranë, Ambasada e SHBA-së: Zbatim më i fortë i ligjit për komunitete më të sigurta

Aktualitet | 37 minuta më parë

Tirana është bërë këto ditë qendra e një konference të  rëndësishme të drejtuesve dhe ekspertëve të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa, me organizimin e takimit të 42-të i kapitullit europian të FBI National Academy Associates (FBINAA).

Duke vlerësuar mbajtjen e këtij aktiviteti në kryeqytet, ambasada e SHBA-së në Tiranë theksoi se kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet tona janë më të sigurta.

Nga 19 deri më 23 shtator, Sesioni i 42-të i Trajnimit të Vazhdueshëm i Kapitullit Europian të FBINAA-së mblodhi së bashku 235 profesionistë të zbatimit të ligjit nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe e gjithë Europa.

FBINAA bashkon drejtues të lartë të strukturave ligjzbatuese të trajnuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së për të ndarë ekspertizë, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të luftuar krimin e organizuar përtej kufijve.

“Qëllimi ynë është i qartë: zbatim më i fortë i ligjit, siguri më e madhe dhe komunitete më të sigurta në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Të ngjashme