Takimi Micotaqis–Meloni/ Fokusi te raportet Greqi–Itali, energjia dhe emigracioni

Thellimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve tashmë të forta greko-italiane, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe bashkëpunimit dypalësh për energjinë, ishte fokusi i një darke pune midis kryeministrit Kirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis) dhe homologut italian, Xhorxha Meloni (Georgia Meloni) në selinë kryeministrore në Athinë.
Darka e punës gjithashtu trajtoi nismat e përbashkëta, dypalëshe dhe brenda Bashkimit Europian, duke përfshirë fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.
Për çështjen e ngutshme të emigracionit të paligjshëm, të dy udhëheqësit u pajtuan për domosdoshmërinë e një politike të integruar europiane ndaj emigracionit, duke theksuar rëndësinë e sigurisë kufitare dhe luftën ndaj rrjeteve të kontrabandës për t’i ndalur ikjet nga vendet e treta.
Për sa i përket agjendës europiane dhe mes diskutimeve për rregullat e reja fiskale, Micotaqis nënvizoi nevojën për të marrë parasysh përjashtimin e kostove të mbrojtjes nga llogaritjet e deficitit të vendeve anëtare të BE-së.
Në përfundim të takimit, kryeministri dhe homologia e tij italiane u dakordësuan për t’u mbledhur në Itali gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, Këshillin e Lartë të Bashkëpunimit midis Greqisë dhe Italisë. /Kathimerini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




