Teknologjia në duart e adoleshentëve, si po orienton TUMO Tirana të rinjtë
Mes sfidave se si sot teknologjia po ndikon në jetët e gjithsecilit, orientimi i duhur sjell një qasje pozitive për sa i takon përdorimit të saj, veçanërisht nga adoleshentët.
Qendra TUMO, e cila funksionon prej 5 vitesh me një portofol të zgjeruar programesh, i fton fëmijët të marrin në dorë procesin e tyre të të mësuarit, duke përvetësuar aftësi të avancuara në fusha me rëndësi për ditët e sotme. Programi më i ri i shtuar së fundmi në TUMO është ai mbi inteligjencën artificiale, ndërsa regjistrimi i fëmijëve kërkon edhe aprovimin e prindërve.
Sindi Duraj, trajnere, u shpreh për RTSH: “Duhet të përmendim programimin, robotikën, game development, graphic design, 3D, muzikën, vizatimin, animacionin dhe të tjera. Këtë sezon kemi futur edhe inteligjencën artificiale. Ka pasur një qasje shumë pozitive si te prindërit, ashtu edhe tek fëmijët. Është goxha e kërkuar. Kemi edhe profesorë që janë ekspertë të fushës, të cilët i drejtojnë studentët të ruajnë linjën e duhur.”
Të rinjtë e trajnuar në të gjitha programet kanë gjetur veten në projekte të ndryshme, edhe ndërkombëtare.
“Kanë fituar edhe internship-e në kompani të ndryshme, kanë realizuar cover-e ose kanë ilustruar një libër të tërë në një shtëpi botuese. Regjistrimet janë të hapura gjatë gjithë vitit. Mjafton të jesh 12 deri në 18 vjeç, të kesh dëshirë për të punuar dhe për të mësuar.”
Në datën 14 tetor pritet të organizohet edhe Piramida Fest, një event i madh kushtuar teknologjisë, ku ftohen fëmijë e prindër të njihen nga afër jo vetëm me 12 programet, por edhe për të pasur qasjen e duhur ndaj teknologjisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





