Tensione gjatë protestës, protestuesit rrëzojnë koshat dhe godasin me vezë efektivët, shoqërohet 1 tjetër protestues
Tensionohet situata mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Fillimisht, protestuesit janë zhvendosur nga Rruga e Elbasanit në drejtim të Piramidës, duke vijuar marshimin me banderola në duar dhe thirrje kundër qeverisë. Në vijim, situata është përshkallëzuar, teksa protestuesit kanë hedhur kosha mbeturinash në rrugë dhe kanë qëlluar me vezë në drejtim të efektivëve të policisë.
Forcat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë për të kontrolluar situatën dhe për të shpërndarë protestuesit, të cilët po lëviznin nëpër rrugët e qytetit në drejtim të Kryeministrisë.
Gjatë ndërhyrjes është shoqëruar edhe një prej protestuesve. Pavarësisht shoqërimit, ai ka vijuar të bëjë thirrje kundër qeverisë. Nuk dihet numri i personave të shoqëruar gjatë kësaj përplasje të fundit, ndërsa një shoqërim tjetër ndodhi më herët kur qytetarët po protestonin pranë Galerisë së Arteve.
Efektivët e policisë kanë vijuar ndërhyrjen për të larguar protestuesit nga zona, ndërsa turma është shpërndarë pas përplasjes dhe tensioneve të krijuara gjatë protestës.
Pas përplasjes me policinë, protestuesit janë zhvendosur nga Xhamia e Namazgjasë në drejtim të Piramidës dhe më pas drejt Kryeministrisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




