Tensione në Kuvendin e Kosovës, ndërpritet seanca, Kurti kërkon kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje: T’i evitojmë zgjedhjet e reja

Kosovë | 2 muaj më parë

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas tensioneve të krijuara në sallë, ndërsa kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Kurti tha se aktualisht nuk ka një marrëveshje mes subjekteve politike për tejkalimin e ngërçit dhe kërkoi që deputetëve t’u jepet më shumë kohë për të gjetur një zgjidhje.

Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, deklaroi Kurti në Kuvend.

Kërkesa e tij u pasua nga debate dhe tensione mes deputetëve. Situata u përshkallëzua në sallë, ndërsa deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, u afrua dhe nisi të gjuante me vezë në drejtim të Kurtit. Pas kësaj, deputetët e grupeve të ndryshme politike, u ngritën në këmbë dhe filluan shtyrjet fizike, duke bërë që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, të ndërpresë punimet.

Seanca konstituive e legjislaturës së re vijon të mbetet e bllokuar, pasi deputetët nuk kanë arritur ende të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Ngërçi politik rrezikon të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihet një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.

Tashmë pritet të shihet nëse ndërprerja e seancës do të pasohet nga një marrëveshje mes subjekteve politike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme