Tensionet me Turqinë/ Scholz mbron palën greke: Problemet mes vendeve të zgjidhen me dialog

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka zhvilluar një vizitë në Athinë ku zhvilloi dhe një konferencë të përbashkët me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Në fjalën e tij, Scholz doli në mbrojtje të Greqisë ndaj kërcënimeve të Turqisë për çështjen e ishujve grekë në lindje të Mesdheut. Ai propozon dialogun si zgjidhjen e problemeve mes vendeve.
“Marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Greqisë janë të rëndësishme jo vetëm për këto dy vende, por për të gjithë Europën. Problemet duhet të zgjidhen në dialog dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare. Është e papranueshme që një partner i NATO-s të vërë në dyshim sovranitetin e tjetrit. Nëse palët e konsiderojnë të nevojshme, Gjermania mund të kontribuojë”, tha kancelari Scholz.
Nga ana e tij Mitsotakis akuzoi presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan se përhap gënjeshtra për Greqinë. Ai shtoi se përkundër akuzave nga Ankaraja, nga ishujt grek “nuk vjen rrezik”.
Kryeministri grek njoftoi se gjashtë tanke mbrojtëse Marder nga Gjermania do të dislokohen në kufirin me Turqinë. Ato do të vendosen në lumin kufitar të Evros në veri-lindje të vendit
Mes Greqisë dhe Turqisë ka tensione masive, që kanë të bëjnë me dislokimin e armëve dhe trupave në ishujt grekë në Mesdhe. Presidenti turk në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar Greqinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



