Tensionet në Prishtinë, PDK paralajmëron zhvendosjen e aksionit politik jashtë Kuvendit

Kosovë | 2 muaj më parë

Trazirat dhe bllokada administrative gjatë përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës kanë nxitur reagime të ashpra nga radhët e opozitës. Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, gjatë një konference për media pas zhvillimeve dramatike në sallën e seancave, paralajmëroi se aksioni i partisë së saj nuk do të kufizohet më vetëm brenda mjediseve parlamentare.

Mobilizim qytetar dhe kërkesë për seancë të re

Sipas Çitakut, PDK-ja do të vazhdojë të kërkojë funksionalizimin e menjëhershëm të institucioneve shtetërore, duke i dërguar sërish kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për thirrjen e punimeve brenda dy ditëve.

“Unë dua t’ju njoftoj që ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh dhe aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më vetëm brenda këtij institucioni, ai do të zhvendoset edhe jashtë kuvendit në forma më të gjëra të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.”, tha Çitaku.

Zyrtarja e PDK-së nënvizoi se pjesëmarrja e tyre në seancë nuk është një “show” politik, por përmbushje e detyrimit kushtetues për përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve.

Akuzat për cenim fizik dhe reagimi ndaj Albin Kurtit

Gjatë fjalës së saj, Çitaku denoncoi praninë e pjesëtarëve të mbrojtjes së afërt brenda sallës, duke pretenduar se ata kanë cenuar integritetin fizik të deputetëve të opozitës. Ajo njoftoi se për këtë incident do t’i drejtohen zyrtarisht Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

“Përmes bllokimit, Albin Kurti po na pamundëson ushtrimin e mandatit që na e kanë dhënë qytetarët. Kjo nuk është suspendim i Kuvendit, kjo është suspendim i demokracisë.”, tha ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme