Thellohet partneriteti Shqipëri-Gjermani, fokusi tek bujqësia moderne dhe zhvillimi rural

Bujqësi | 12 muaj më parë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, si dhe me përfaqësues të lartë të bashkëpunimit ekonomik, Iven Schad dhe Mattia Wegmann (GIZ). Qëllimi i takimit ishte riafirmimi dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, me fokus të veçantë në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e partneritetit të qëndrueshëm, i cili ka rezultuar në projekte konkrete në terren. Ministri Salla shprehu vlerësimin për mbështetjen afatgjatë të qeverisë gjermane, e cila realizohet kryesisht përmes projekteve të GIZ, asistencës teknike dhe ekspertizës.

Ky bashkëpunim është thelbësor në fusha kyçe si siguria ushqimore, inovacioni bujqësor dhe forcimi i kapaciteteve institucionale shqiptare.

Salla: Gjermania, “shtyllë thelbësore” për Shqipërinë 2030

Duke folur për rëndësinë strategjike të këtij partneriteti, Ministri Salla theksoi:

“Partneriteti me Gjermaninë mbetet një shtyllë thelbësore në rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë 2030, me synimin për të zhvilluar një sektor bujqësor modern, të qëndrueshëm dhe konkurrues.”

Palët ndanë një qëndrim të përbashkët për të vijuar me projekte që kanë dhënë tashmë rezultate pozitive. Gjithashtu, u diskutua për nisjen e projekteve të reja strategjike që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në modernizimin e infrastrukturës bujqësore dhe në përgatitjet e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

Takimi konfirmoi se të dyja palët janë të angazhuara për të sjellë inovacion dhe ekspertizë gjermane për zhvillimin e një sektori bujqësor më efikas në Shqipëri.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme