Tramp kërkon skualifikimin e gjyqtares amerikane për çështjen e zgjedhjeve federale

Botë | 3 vite më parë

Ish-Presidenti Donald Tramp paraqiti një mocion duke kërkuar skualifikimin e gjykatëses, Tanja Çutkan nga çështja penale ku ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Tramp tha muajin e kaluar se planifikonte të kërkonte zëvendësimin e gjykatëses, si dhe zhvillimin e gjykimit në një vend tjetër.

Ish-Presidenti argumentoi në mocion se deklaratat e mëparshme të gjykatëses Çutkan, që duket se i referohen rolit të tij në ndikimin e trazirave në ndërtesën e Kongresit më 6 janar 2021 nga mbështetësit e tij, ngrenë pikëpyetje në lidhje me paanshmërinë e saj në këtë çështje.

Deklarata gjyqësore thekson një vërejtje nga gjykatësja Çutkan gjatë një seance dëgjimore të vitit 2022 për një të pandehur, lidhur me trazirat e Kapitolit, në të cilën ajo sugjeroi se protestuesi ishte i motivuar nga “besnikëria e verbër ndaj një personi, i cili, meqë ra fjala, mbetet i lirë edhe sot e kësaj dite”,- thuhet se ishte shprehur gjykatësja.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se komenti tregonte besimin e gjykatëses se zoti Trump “duhet të ndiqet penalisht dhe të burgoset”.

Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, ngriti akuza ndaj ish-Presidentit Donald Trump për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij ndaj Kapitolit.

Kjo është një nga katër çështjet penale me të cilat përballet zoti Tramp ndërsa kandidon për të marrë emërimin republikan për zgjedhjet e vitit 2024. Ai ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjykatësja Çutkan, e emëruar nga ish-Presidenti Barak Obama, hodhi poshtë kërkesën e zotit Tramp në vitin 2021 në një çështje civile që ai ngriti në përpjekje për të mbrojtur të dhënat e tij në Shtëpinë e Bardhë nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat në Kapitol.

Në arsyetimin e vendimit të saj, gjykatësja Chutkan shkroi mes të tjerash: “Presidentët nuk janë mbretër dhe Paditësi nuk është President”. Reuters

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme