“Trialog”, Muça: Nëse ka informacion nga dosjet, pse nuk publikohen faktet penale?
I ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, analisti Flogert Muça komentoi mënyrën se si janë bërë publike disa prej të dhënave nga dosjet hetimore, duke ngritur pikëpyetje mbi informacionet që publikohen dhe përmbajtjen e tyre.
Muça tha se mbështet drejtësinë, por sipas tij, mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë duhet të shoqërohet edhe me evidentimin e problematikave që lidhen me publikimin e materialeve nga hetimet.
“Jo nuk ka surpriza, ne në këtë tavolinë besoj se jemi njerëz që e kemi mbështetur dhe vazhdoj ta mbështesim drejtësinë, por që ta mbështesësh drejtësinë do të thotë të thuash disa të vërteta që nuk shkon që ajo ti përmirësoj. Dhe ka një gjë që i lidh të gjitha bashkë që nga Ahmetaj deri tek Vlora Hyseni. Emëruesi i përbashkët është nxjerrja e atyre segmenteve të dosjes që bëjnë diskretitimit publik të personazhit”, u shpreh Muça.
Ai solli në vëmendje disa raste të bëra publike, duke argumentuar se në to janë nxjerrë në pah elemente të jetës private të personave nën hetim, ndërsa sipas tij, më pak vëmendje u është kushtuar fakteve me karakter penal.
Sipas analistit, publikimi i këtyre elementeve ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si përzgjidhen informacionet që dalin nga dosjet.
“Arben Ahmetaj u morën me lodra seksi, Erion Veliaj u morën me të brendshmet e gruas me zonjën Vlora merren me mesazhe zemra, shpirti me Ergys Agasi. Ajo që unë nuk kuptoj është si ka mundësi që meqë keni vullnetin dhe që na jepni informacionet nga brenda dosjes, a ka mundësi të na jepni dhe ndonjë fakt penal dhe mos na jepni vetëm histori rozë. Kjo mua më bën të dyshoj dhe kam disa pyetje. Nëse kjo histori është kaq sa kemi parë dhe ato që kanë dosjen kanë nxjerrë këto informacione do të thotë që nuk bëhet fjalë për hetim penal dhe qëllimi final hetimi penal por bëhet fjalë për diskreditim, degdisje, ambalazhim për të krijuar iluzionin”, tha analisti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




